Shteti i Kosovës aktualisht është në proces të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Por, përveç kësaj, sonte Kosova do të ketë edhe një angazhim tjetër – Dardanët do të përballen në një ndeshje miqësore.
Kombëtarja e Kosovës do të përballet me atë të Andorrës, nga ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Gazetari i Klan Kosova, Lutrim Islami, raportoi nga selia e tifozëve Dardanë, ku ka folur Lik Berisha, anëtar i këtij tifo-grupi, i cili tha se interesimi për të shikuar ndeshjen miqësore, është i ulët.
“Kjo puna e zgjedhjeve, pak ndoshta e ka dëmtu edhe interesimin te njerëzit për lojën. Ndoshta edhe që vijmë pas një loje të humbur me Turqinë, është njëfarë dëshpërimi pak te popullata. Por ne si Dardanë kemi me qenë pjesë dhe me përkrahë Kosovën, pavarësisht rëndësisë së ndeshjes, a është miqësore apo kualifikuese. Vetëm kisha dashtë me cekë se kjo duhet me kanë pak mësim edhe per neve si tifogrup por edhe për krejt ata që po kanë të drejtë të biletave, domethanë biletat me shku te tifozët dhe Kosova duhet me u përkrahë në secilën ndeshje, e jo veç kur po na vijnë kombëtare të mëdha”, ka thënë Berisha.



