Kongresistët amerikanë lobojnë që takimi i OSBE-së të mbahet në ShBA, jo në Serbi

Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë po bën përpjekje që takimi i 57 shteteve për sigurinë evropiane të mbahet vitin e ardhshëm në Karolinën e Jugut, e jo në Serbi, duke nxjerrë në pah një përplasje mes republikanëve në Kongres dhe marrëdhëniet komplekse të Uashingtonit me vendin ballkanik.

Kongresisti republikan Joe Wilson do të paraqesë të premten një rezolutë të përbashkët të Kongresit me 40 bashkënënshkrues, e cila kërkon që sesioni vjetor i vitit 2027 i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbahet verën e ardhshme në Charleston, në shtetin e tij të Karolinës së Jugut, në vend të Beogradit, kryeqytetit të Serbisë dhe vendit të favorizuar nga republikanë të tjerë me profil të lartë.

Reuters thotë se ka shqyrtuar një kopje të rezolutës përpara publikimit të saj.

Charlestoni dhe Beogradi janë kandidatë për të organizuar këtë takim vjetor të shteteve anëtare evropiane, të Azisë Qendrore dhe Amerikës së Veriut të OSBE-së, organizatë që vitet e fundit është përqendruar në menaxhimin e pasojave të pushtimit rus të Ukrainës.

Edhe pse ligjvënësit amerikanë nga të dyja anët e debatit kanë paraqitur argumente të ndryshme logjistike dhe praktike për vendin që preferojnë, disa prej të cilave kanë pak lidhje me gjeopolitikën, “mosmarrëveshja pasqyron gjithashtu një debat më të gjerë në Uashington lidhur me Serbinë, e cila ka marrëdhënie të ngrohta si me Moskën, ashtu edhe me administratën Trump”, thotë Reuters.

Sipas këtij mediumi, “disa ligjvënës, të shqetësuar nga lidhjet e thella ekonomike të Beogradit me Rusinë, kanë kërkuar një qasje më konfrontuese ndaj Serbisë, e cila është një blerëse e rëndësishme e energjisë ruse dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër kundërshtarit të Shteteve të Bashkuara”.

Ligjvënës të tjerë kanë theksuar nevojën për vazhdimin e angazhimit me qeverinë serbe për ta afruar vendin – i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian – drejt një përputhjeje të plotë me Perëndimin.

Në një intervistë, Wilson, i cili është bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit, një organ me fokus Evropën që vepron pranë Kongresit, theksoi se një takim i organizuar në ShBA do të sinjalizonte përkushtimin e Amerikës ndaj aleatëve të saj në OSBE. “Ai gjithashtu kritikoi Serbinë për qëndrimin e saj armiqësor ndaj Kosovës, aleate e Shteteve të Bashkuara, të cilën Beogradi e konsideron një rajon të shkëputur në mënyrë të paligjshme”, thotë Reuters.

Kongresisti Wilson: Deklaratat e ministres serbe, arsye për t’ia refuzuar Serbisë organizimin e OSBE-PA

Ndër ligjvënësit që kanë bashkënënshkruar rezolutën e Wilsonit është edhe William Keating, demokrati më i lartë në nënkomisionin për Evropën të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili publikisht ka kritikuar qeverinë serbe për arsye të ndryshme.

Në një deklaratë, Keating tha se sesioni vjetor duhet të mbahet në ShBA, “për të nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm që Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në institucionet shumëpalëshe”.

Ambasada e Serbisë në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Gjeopolitika kundrejt politikës lokale

Wilson tha se ndër ata që kundërshtojnë mbajtjen e takimit në Charleston është senatori republikan Roger Wicker, kryetar i Komisionit për Shërbimet e Armatosura në Senat. Sipas Wilsonit, Wicker i kishte thënë se fondet e Kongresit të nevojshme për organizimin e takimit në Charleston mund të mos siguroheshin, shqetësim të cilin Wilson e hodhi poshtë.

Wicker, i cili është gjithashtu senatori kryesor në Komisionin e Helsinkit, do të kishte ndikim të madh në përcaktimin nëse një samit vjetor në ShBA mund të realizohej.

Reuters nuk ishte në gjendje t’i konfirmonte në mënyrë të pavarur komentet e Wickerit, ndërsa zyra e tij nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Në intervistë, Wilson tha se Karolina e Jugut do të ishte një vend i përshtatshëm për organizimin e takimit, pjesërisht sepse djali i tij, kandidati republikan për guvernator, do të ndihmonte që delegatët të priteshin mirë. Disa nga bashkënënshkruesit e rezolutës së tij janë gjithashtu nga Karolina e Jugut.

Nuk është e qartë nëse rezoluta e Wilsonit do të ecë përpara. Edhe pse ajo ka mbështetjen e disa nënshkruesve me pozita të larta nga të dyja partitë, Kongresi është vetëm pak ditë larg fillimit të pushimit veror, i cili do të zgjasë deri në shtator. /Klankosova.tv

Latest news
Related news