Aksident horror në MotoGP, Bezzecchi rrëzohet rëndë

Bezzecchi pëson tjetër aksident të rëndë në Sachsenring, thyen klavikulën dhe tërhiqet nga gara

Momente shqetësuese u panë gjatë sesionit kualifikues të MotoGP në pistën e Sachsenringut, të shtunën paradite.

 Piloti italian Marco Bezzecchi humbi kontrollin e motoçikletës së tij Aprilia në kthesën e shtatë, me një shpejtësi prej rreth 140 km/h, duke u rrëzuar rëndë dhe duke u rrotulluar disa herë në pistë.

Për disa minuta, Bezzecchi qëndroi i shtrirë në zonën e zhavorrit, duke shkaktuar ankth te tifozët dhe ekipi i tij.

Fatmirësisht, ai u ngrit në këmbë dhe u transportua nga një komisar i pistës drejt bokseve.

Ky është një tjetër goditje e rëndë për italianin, shkruan Bild, transmeton Klankosova.tv.

Vetëm dy javë më parë, gjatë garës në Assen të Holandës, ai kishte pësuar një aksident serioz.

Pavarësisht dhimbjeve dhe mungesës së testimeve pas atij incidenti, Bezzecchi vendosi të rikthehej në Sachsenring.

Para fillimit të fundjavës së garës, ai kishte deklaruar:

“Kam ende dhimbje pothuajse në të gjithë trupin, përveç krahëve. Ndihem sikur trupi im është shtypur”.

Sipas ish-pilotit dhe ekspertit të ServusTV, Stefan Bradl, aksidenti u shkaktua nga një gabim gjatë ndërrimit të marsheve.

“Ai kaloi nga marshi i tretë në të katërtin. Në atë moment hoqi gazin dhe u përpoq të ndryshonte drejtimin. Kjo krijoi shumë ngarkesë në gomën e pasme, duke shkaktuar një ‘highsider’.”

Pas aksidentit, Bezzecchi u detyrua të ndërpresë menjëherë kualifikimin.

 Kur doli nga bokset, ai mbante krahun e majtë në një mbajtëse, ndërsa më vonë u konfirmua diagnoza: thyerje e klavikulës së majtë.

Si pasojë e dëmtimit, piloti i Aprilias nuk do të vazhdojë pjesëmarrjen në Çmimin e Madh të Gjermanisë.

Latest news
Related news