Tuchel: Jam i befasuar nga ajo që tha Haaland, ne e duam presionin

Thomas Tuchel ka pranuar se është habitur nga komentet e Erling Haaland përpara ndeshjes çerekfinale të Anglisë me Norvegjinë në Kupën e Botës.

Sulmuesi norvegjez u përpoq të ushtronte gjithë presionin mbi anglezët, duke minuar shanset e ekipit të tij, por eksperti gjerman në stolin e “Tre Luanëve” thotë se ekipi i tij di si të përballet me pritjet në rritje, raporton Goal.com.

Përpara ndeshjes çerekfinale në Miami, Haaland ishte i etur t’ia linte rolin e favorit Anglisë. Pavarësisht ecurisë mbresëlënëse të Norvegjisë deri në këtë fazë të garës, që përfshinte eliminimin e Brazilit në raundin e 16-tave, sulmuesi këmbënguli se shanset e ekipit të tij për fitore ishin minimale, shkruan Index.hr, transmeton klankosova.tv.

Duke folur për NRK, golashënuesi norvegjez e vendosi vendin e tij në statusin e autsajderit, duke deklaruar: “Ka një shans shumë të vogël që ne të fitojmë. Mendoj se të gjithë duhet t’i bëni presion Anglisë”.

Trajneri i Anglisë, Tuchel, u habit nga komentet. Ai pranoi se nuk priste që një yll i kalibrit të Haaland të shmangte në mënyrë aktive vëmendjen e medias përpara një ndeshjeje kaq të rëndësishme. Në një deklaratë për të njëjtën media, tekniku gjerman shprehu habinë e tij për lojën psikologjike të sulmuesit, ndërsa pohoi gjithashtu se “Tre Luanët” janë gati të përballen me barrën e madhe të pritjeve.

“Jam i befasuar që Erling e tha këtë, sepse gjithmonë kam menduar se atij i pëlqen presioni dhe se situata të tilla e motivojnë. Jam i befasuar që po na fajëson neve”, tha Tuchel. Ai shtoi: “Na pëlqen presioni. Kështu është. Nuk mendoj asnjë minutë se kush është favorit dhe kush është nën presion. E di shumë mirë se ata po përgatiten nga brenda për të fituar. Pse të mos e bëjnë?”.

Ndeshja Norvegjia – Anglia luhet sot me fillim nga ora 23:00 me kohën lokale.

Latest news
Related news