Alcaraz jashtë Wimbledonit, Sinner mbetet në krye të ATP-së!

Carlos Alcaraz ka konfirmuar se do të mungojë në dy nga turnetë më prestigjioze të sezonit, Queen’s Club Championships dhe Wimbledon, për shkak të dëmtimit në kyçin e djathtë.

Tenisti spanjoll bëri të ditur përmes Instagramit se rikuperimi po ecën pozitivisht, por jo aq sa të jetë gati për rikthim në konkurrim.

Problemet fizike të Alcaraz nisën gjatë turneut të Barcelonës në prill dhe situata rezultoi më serioze sesa pritej fillimisht. Dëmtimi e ka detyruar të humbas një seri turnesh madhore, përfshirë Madrid Open, Italian Open, French Open dhe tashmë edhe Wimbledonin. Një goditje e rëndë për sezonin e tij, sidomos në momentin kur pritej të rivalizonte për kreun e renditjes ATP.

Alcaraz foli gjithashtu për raportin me rivalin e tij kryesor, Jannik Sinner, duke theksuar se rivaliteti mes tyre mbetet i fortë vetëm brenda fushës. Spanjolli tha se të dy po tregojnë se mund të luftojnë maksimalisht në tenis, pa pasur nevojë për urrejtje apo tension artificial jashtë terrenit, një kontrast i qartë me rivalitetet toksike që shpesh sporti modern përpiqet t’i shesë si “dramë”.

Mungesa e Alcaraz është një avantazh i madh për Sinner në garën për numrin 1 në botë. Italiani tashmë ka siguruar qëndrimin në krye të renditjes ATP edhe pas Wimbledonit, me një diferencë të konsiderueshme pikësh ndaj rivalëve.

Falë kësaj situate, Sinner do të arrijë të paktën 80 javë si numri 1 në botë, duke barazuar rekordin e Lleyton Hewitt, si një nga tenistët me qëndrimin më të gjatë në majën e ATP-së, që prej krijimit të renditjes në vitin 1973.

Latest news
Related news