Anijet me ndihma nisen nga Barcelona drejt Gazës

Konvoj anijesh u nisën të dielën nga Barcelona drejt Rripit të Gazës me ndihma humanitare, aktivistë dhe figura të njohura në bord, me synim thyerjen e bllokadës izraelite ndaj territorit palestinez.

Kjo ndodh në një kohë kur Izraeli ka intensifikuar ofensivën në qytetin e Gazës, duke kufizuar shpërndarjen e ushqimeve dhe furnizimeve bazë në veri të territorit palestinez. Ekspertët e ushqimit paralajmëruan më herët këtë muaj se qyteti po përballet me uri masive dhe se gjysmë milioni njerëz në të gjithë Rripin janë në nivele katastrofike urie, raporton AP.

Konvoji i anijeve ‘Global Sumud’ po transporton ushqime, ujë dhe ilaçe. Aktivistët në bord kërkuan kalim të sigurt për të dërguar ndihmën e domosdoshme dhe hapjen e një korridori detar humanitar, sipas një deklarate. Lufta pothuajse 23-mujore ka lënë mbi 63,000 të vrarë, me të paktën 332 palestinezë që kanë vdekur nga kequshqyerja, përfshirë 124 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Ky konvoj detar prej rreth 20 anijesh dhe delegacionesh nga 44 vende pretendohet të jetë përpjekja më e madhe deri më tani për të thyer bllokadën izraelite ndaj Rripit të Gazës nga deti, e cila ka zgjatur tashmë 18 vjet. Organizatorët thanë se flotës do t’i bashkohen edhe anije nga porte në Itali, Greqi dhe Tunizi në ditët në vijim, në rrugëtimin nga skaji perëndimor i Mesdheut drejt Gazës.

Latest news
Related news