Brenda një viti, e njëjta ndërtesë te Parku i Qytetit u përfshi nga zjarri dy herë (VIDEO)

Ndërtesa pranë Parkut të Qytetit në Prishtinë është përfshirë sërish nga zjarri, më pak se një vit pasi flakët kishin kapluar të njëjtin objekt.

Më 16 korrik të vitit të kaluar, rreth orës 21:00, zjarrfikësit kishin intervenuar për shuarjen e një zjarri të madh që kishte përfshirë dy kulmet e banesave në këtë ndërtesë. Për shkak të përmasave të zjarrit, atyre iu desh më shumë se një orë për ta vënë situatën nën kontroll. Në atë rast nuk u raportua për persona të lënduar.

S’ka të lënduar nga zjarri në ndërtesën e banimit te Parku i Qytetit

Ndërkaq, sot më 27 qershor, zjarri ka shpërthyer sërish në të njëjtën ndërtesë, këtë herë në anën tjetër të objektit.

Në vendin e ngjarjes janë angazhuar mbi 10 kamionë të zjarrfikësve, tri automjete të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, si dhe ekipe të zjarrfikësve nga Lipjani.

Si pasojë e zjarrit, tre zjarrfikës kanë pësuar lëndime të lehta, ndërsa janë lënduar edhe dy qytetarë, mes tyre një fëmijë, i cili është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Trajtim mjekësor po merr edhe kryefamiljari.

Kështu bëri të ditur gazetari i Klan Kosovës, Kastriot Tahiri, i cili tha se në vendin e ngjarjes vazhdojnë të jenë të angazhuara ekipe të shumta zjarrfiksëve.

Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, ndërsa autoritetet pritet të nisin hetimet për zbardhjen e rastit. /Klankosova.tv

Fëmija po trajtohet në QKUK pas zjarrit në banesën te Parku i Qytetit (VIDEO)

Latest news
Related news