Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar situatën me gazin amerikan, duke thënë që kjo çështje shkon përtej gazit, dhe ka të bëjë me mesazhin që u dërgohet aleatëve.
Ajo paraprakisht përmendi aleancën e ndërtuar midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përmendur etapat më të rëndësishme.
“Marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është aleancë e ndërtuar mbi besim, sakrificë dhe vendime të mëdha historike. Kur SHBA udhëhoqën ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës, përtej miliardave të shpenzuara, vunë në tavolinë kredibilitetin e tyre ndërkombëtar”, shkruan Çitaku në Facebook.
“Kur udhëhoqën procesin e njohjeve të Kosovës, përtej angazhimit diplomatik, vunë në tavolinë kredibilitetin e tyre. Kur mbrojtën të drejtën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, përtej ekspertizës dhe kostos politike, sërish vunë në tavolinë kredibilitetin e tyre. Në çdo moment vendimtar të historisë sonë moderne, Shtetet e Bashkuara ishin në anën e Kosovës”.
Më tej, Çitaku tha se Kosova nuk bëhet e fortë duke ia kthyer shpinën Amerikës përmes refuzimit të një projekti energjetik amerikan, të cilin e sheh si mesazh.
“E sot? Ne refuzojmë një projekt energjetik amerikan, një investim që në fund të ditës është në dobi të qytetarëve të Kosovës, të sigurisë sonë energjetike dhe të zhvillimit ekonomik të vendit. Nuk është çështja vetëm te gazi. Është çështja e mesazhit që po u dërgojmë aleatëve tanë më të rëndësishëm. Është çështja e mënyrës se si sillemi me miqtë që, sa herë historia na vuri përballë sprovave, nuk na lanë vetëm”.
“Kosova nuk bëhet më e fortë duke i kthyer shpinën Amerikës. Përkundrazi. Aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk është barrë. Është garancia më e madhe strategjike që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës. Dhe si e tillë, duhet të ruhet, të forcohet dhe të konkretizohet me projekte që i shërbejnë interesit të qytetarëve tanë”.



