Arjeta Musliu: Nga tragjedia familjare te politika – çka i premton Kosovës? (VIDEO)

Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Arjeta Musliu, në emisionin “Kosova Today” ka folur për dhimbjen e saj personale, pas humbjes së djalit, dhe si këtë tragjedi e riktheu në forcë.

Themeluesja e organizatës “Ri-Jeta”, që trajton dhe ndihmon personat që janë përdorues të substancave narkotike, tashmë i është futur politikës, ndërsa tregoi se si deri para shtatë vitesh, kishte kërkuar ndihmë si nënë në vendet ku vetëm ndihma s’iu ofrua, transmeton Klankosova.tv.

“Goditjet e papritura që na sjell jeta, asnjëherë asnjë individ nuk mund të përgatitet, sidomos me atë goditjen që e përjeton prindi. Unë para shtatë vjetësh kam dhënë një shfaqje, me një skenar të vërtetë. Aty kam marr guximin dhe përgjegjësinë, të jem afër shumë nënave, shumë të rinjve, aty ku unë për shumë vite kërkojë ndihmë, dhe nuk mundesha me gjet”, tha Musliu në Klan Kosova.

“Të përballesh me luftën me droga, nuk është aspak e lehtë, por nuk është e pamundur kur e zgjasim dorën dhe e mbështesim një të ri, duke mos e nda as familjen, atëherë as suksesi nuk mundet të mungojë. Një qendër të tillë, që u realizua para shtatë vitesh, më kishte munguar mua si një nënë”.

Ajo tha se ndihet me fat që iu ka gjetur dhe iu ka ofruar ndihmë 5000 nënave, 5000 fëmijëve, 5000 familjeve.

“Na duhet një mbështetje shumë më e madhe, dhe hapi i parë për ta trajtuar një përdorues të lëndës narkotike, atëherë këtu fillon, duke ia zgjatur dorën, që ai të vazhdojë me trajtimin. Po flas pra për qendra rehabilituese”, u shpreh kandidatja për deputete në Klan Kosova.

Ndër të tjera, Musliu në “Kosova Today” foli edhe për arsyen pse iu bashkua kandidates për presidente, Vjosa Osmanit, në zgjedhjet e 7 qershorit.

Latest news
Related news