Policia e Shqipërisë ka njoftuar se ka arrestuar tre persona në Lezhë pasi dyshohet se morën me forcë një 28-vjeçar dhe e dhunuan, pas një konflikti për pagesat e dy automjeteve të marra me qira.
Sipas policisë, ngjarja nisi pas një kallëzimi nga babai i 28-vjeçarit, i cili deklaroi se djali i tij ishte marrë me forcë nga disa persona dhe ishte transportuar me automjet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë në Lezhë kanë identifikuar dhe kapur pak minuta pas kallëzimit tre të dyshuarit: dy vëllezër, 28 dhe 22 vjeç, që ishin administrator të subjektit, si dhe kushëririn e tyre 22-vjeçar.
Policia ka njoftuar se e ka sekuestruar automjetin e të dyshuartve.
“Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 3 shtetasit, me vetëgjyqësi, kanë marrë me forcë, në automjet, 28-vjeçarin, në një karburant në fshatin Derven, me pretendimin se ky i fundit nuk kishte paguar paratë, për 2 automjete të marra me qira, në subjektin që administronin 2 vëllezërit e arrestuar. 3 shtetasit e kanë transportuar 28-vjeçarin te në një karburant në fshatin Shënkoll, ku e kanë dhunuar dhe më pas e kanë lënë në rrugë.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, 28-vjeçari u transportua në spitalin rajonal të Lezhës, ku mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe më pas është liruar. /Klankosova.tv



