Aston Villa përmbys Nottingham Forestin dhe siguron finalen e Europa League

Aston Villa ka siguruar kualifikimin në finalen e UEFA Europa League, pasi mposhti bindshëm Nottingham Forestin me rezultat 4-0 në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales, duke përmbysur humbjen 1-0 nga takimi i parë.

Skuadra angleze vazhdoi edhe serinë perfekte të ndeshjeve evropiane në shtëpi këtë sezon, në një mbrëmje të dominuar nga ritmi i lartë dhe atmosfera elektrizuese në stadium.

Të dy skuadrat e nisën ndeshjen duke krijuar raste serioze, me Omari Hutchinson që iu afrua golit për mysafirët, ndërsa Pau Torres testoi portierin Stefan Ortega me një goditje me kokë. Nga ana tjetër, Emiliano Buendia dhe Youri Tielemans rrezikuan portën e Nottingham Forestit, teksa vendasit gradualisht morën kontrollin e lojës.

Pas një përplasjeje të fortë kokë më kokë mes Ollie Watkins dhe Morato, sulmuesi i Aston Villas u rikthye në fushë me kokën e fashuar dhe zhbllokoi rezultatin vetëm pesë minuta pas rifillimit të lojës (’36). Watkins bashkëpunoi me Buendian, i cili depërtoi bukur në zonë dhe asistoi për anglezin që realizoi nga afër për 1-0.

Pas rikthimit nga pushimi 15-minutësh, trajneri i Nottingham Forest, Vitor Pereira, aktivizoi kapitenin Ryan Yates për të prishur ritmin e lojës së vendasve. Megjithatë, skuadra e Unai Emery vazhdoi dominimin dhe në minutën e 56-të fitoi penallti, pasi Nikola Milenkovic tërhoqi Torresin për fanelle. Nga pika e bardhë, Buendia realizoi me qetësi për t’i dhënë Aston Villas në minutën e 58-të epërsinë për herë të parë në këtë përballje (sipas rezultatit të përgjithshëm).

Ollie Watkins shënoi sërish pak minuta më vonë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje, ndërsa John McGinn provoi me një goditje që u ndal nga portieri Ortega, teksa Villa vazhdonte të dukej superiore në fushë. Megjithatë, kapiteni i vendasve nuk gaboi në rastin tjetër, kur Watkins e shërbeu me top brenda 16-shit dhe McGinn gjeti këndin e largët për të ndezur festën në tribunat e stadiumit (’77).

Vetëm pak çaste më pas (’80), McGinn u gjet sërish në pozitë ideale pas asistimit të Rogers dhe realizoi edhe golin e tretë personal për një mbrëmje fantastike të Aston Villas.

Me këtë fitore bindëse, Aston Villa i dha fund serisë prej tri humbjesh radhazi dhe siguroi kualifikimin në finalen e dytë evropiane në histori të klubit, ku do të përballet me SC Freiburgun, plot 44 vjet pas finales së parë.

Në të njëjtën kohë, skuadra angleze i dha fund edhe ecurisë prej 10 ndeshjesh pa humbje të Nottingham Forest, duke e eliminuar nga UEFA Europa League. /Klankosova.tv

Latest news
Related news