Mesfushori shqiptar Ardon Jashari mund të largohet nga Milani vetëm një vit pas transferimit të tij te gjiganti italian, pasi interesimi për 23-vjeçarin po rritet nga një rival direkt në Serie A.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Atalanta e ka futur emrin e Jasharit në listën e prioriteteve për afatin kalimtar të verës, teksa klubi nga Bergamo po përgatitet për largimin e mesfushorit brazilian Ederson, transmeton Klankosova.tv.
Raportohet se Ederson është shumë pranë transferimit te Manchester United, në një marrëveshje që mund t’i sjellë Atalantës rreth 50 milionë euro.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit italian kanë nisur prej kohësh kërkimin për një zëvendësues adekuat në mesfushë.
Mes emrave të përmendur për të marrë rolin e brazilianit është edhe Ardon Jashari, i cili megjithëse pati një sezon jo të lehtë te Milani, vazhdon të konsiderohet si një nga talentet më premtuese në futbollin evropian.
23-vjeçari nuk arriti të sigurojë statusin e titullarit të padiskutueshëm te “Rossonerët” gjatë sezonit të tij të parë në “San Siro”, por paraqitjet e tij kanë mjaftuar për të tërhequr vëmendjen e klubeve tjera të mëdha italiane.
Mbetet të shihet nëse Jashari do të jetë pjesë e projektit të ri të Atalantës, apo nëse Milani do të vendosë ta mbajë mesfushorin shqiptar në skuadër.
Aktualisht, Ardon Jashari është i grumbulluar me Kombëtaren e Zvicrës për Kupën e Botës 2026, ku synimi i tij mbetet të zhvillojë një turne sa më të suksesshëm dhe të konfirmojë potencialin e tij në skenën më të madhe të futbollit botëror.



