Sulmuesi suedez Alexander Isak është i vendosur të largohet nga Newcastle United dhe të transferohet te Liverpooli këtë verë, raportoi BBC Sport, duke cituar disa burime pranë lojtarit.
Sipas BBC-së, objektivi i 24-vjeçarit është që t’i bashkohet kampionit aktual të Premier League para mbylljes së merkatos më 1 shtator. Më 1 gusht, Newcastle refuzoi një ofertë prej 110 milionë funte nga Liverpool, me “The Reds” që më pas deklaruan se mund të tërhiqen nga bisedimet, shkruan Klankosova.tv.
Trajneri i Newcastle, Eddie Howe, pas humbjes në miqësoren kundër Atletico Madrid, u shpreh se “gjithçka është e hapur” për të ardhmen e Isak, por pranoi se nuk mund ta përfshijë sulmuesin në planet e tij aktuale. Për pasojë, Isak pritet të mungojë në ndeshjen hapëse të Newcastle në Premier League ndaj Aston Villa të shtunën.
Isak, i cili realizoi 27 gola në 42 paraqitje sezonin e kaluar, ka edhe tre vite kontratë me klubin nga veriu i Anglisë. Ai humbi turin para-sezonal të Newcastle në Lindjen e Largët për shkak të një dëmtimi të lehtë në kofshë dhe u stërvit veçmas te ish-klubi Real Sociedad para se të rikthehej javën e kaluar në Britani.
Ndërkohë, Newcastle ka hasur vështirësi në sigurimin e një sulmuesi të ri, pasi Liam Delap iu bashkua Chelseat, Benjamin Sesko nënshkroi me Manchester United, ndërsa Hugo Ekitike kaloi te Liverpooli.
Skuadra e Howe mbetet e interesuar për sulmuesin e Brentfordit, Yoane Wissa, i cili është rikthyer në stërvitje pas bisedimeve me trajnerin Keith Andrews, por dëshiron të transferohet në Newcastle nëse klubet bien dakord për një tarifë.
Në anën tjetër, Newcastle është pranë finalizimit të transferimit të mbrojtësit të AC Milan, Malick Thiaw, i cili pritet të udhëtojë drejt Anglisë për të mbyllur marrëveshjen prej 34.62 milionë funtesh. /Klankosova.tv
The post BBC: Alexander Isak e do kalimin te Liverpooli me çdo kusht appeared first on Klan Kosova.



