Burri vret gruan me thikë në mes të qytetit

Një grua humbi jetën mbrëmjen e së martës pas një sulmi me thikë në qendër të qytetit Kelkheim, në Gjermani. Sipas raportimeve të mediave gjermabe, i dyshuari është bashkëshorti i viktimës, i cili e sulmoi atë në mes të qytetit, ndërsa kalimtarët ndërhynë menjëherë dhe e mbajtën të neutralizuar deri në mbërritjen e policisë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të datës 14 korrik në zonën e rrugës Frankfurter Straße, pranë sheshit qendror të Kelkheimit. Për shkak se bëhet fjalë për një zonë me dyqane dhe lokale, në momentin e sulmit në vendngjarje ndodheshin shumë qytetarë

Kalimtarët ndërhynë për të ndaluar autorin

Dëshmitarë okularë raportojnë se disa persona reaguan menjëherë sapo panë sulmin, duke e neutralizuar të dyshuarin dhe duke e mbajtur nën kontroll deri në mbërritjen e forcave të policisë.

Policia e arrestoi të dyshuarin në vendngjarje. Ai raportohet se ka pësuar lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes së qytetarëve dhe mori ndihmë mjekësore. Ndërkohë, për gruan e sulmuar nuk ishte më e mundur të bëhej asgjë. Ajo ndërroi jetë në vend, si pasojë e plagëve të rënda.

Zonë e bllokuar, hetime intensive

Pas arrestimit, policia rrethoi një perimetër të gjerë rreth vendit të ngjarjes, ndërsa ekspertët kriminalistikë nisën grumbullimin e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Për shkak se shumë persona e panë ngjarjen ose një pjesë të saj, në vendngjarje u angazhuan edhe ekipe të mbështetjes psikologjike dhe këshilltarë shpirtërorë për të ndihmuar dëshmitarët dhe personat e prekur nga trauma.

Autoritetet deklaruan se, pas arrestimit të të dyshuarit, nuk kishte më rrezik për qytetarët, megjithëse zona mbeti e mbyllur për disa orë për shkak të hetimeve.

Motivi ende i paqartë

Shkaqet e sulmit nuk janë bërë ende të ditura. Hetuesit po punojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse mes bashkëshortëve kishte pasur konflikte të mëhershme.

Policia kriminale po analizon dëshmitë e mbledhura, provat materiale, si dhe mundësinë e ekzistencës së pamjeve nga kamerat e sigurisë të bizneseve përreth, të cilat mund të ndihmojnë në rindërtimin e ngjarjes.

Hetimet vazhdojnë

Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për vrasje. Autoritetet do të vendosin nëse i dyshuari do të paraqitet para gjykatës me kërkesë për masën e paraburgimit.

Sipas parimit të prezumimit të pafajësisë, deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, personi i arrestuar konsiderohet vetëm i dyshuar për kryerjen e veprës penale.

Ngjarja ka tronditur banorët e Kelkheimit, një qytet me rreth 28 mijë banorë në rajonin Main-Taunus, në veriperëndim të Frankfurtit, pasi krimi ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.

Latest news
Related news