Bota e futbollit do të ketë sytë nga Budapesti sonte, ku në “Puskas Arena” zhvillohet finalja e madhe e UEFA Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Arsenalit.
Ky duel pritet me interes të jashtëzakonshëm, pasi përballen dy skuadra me objektiva të mëdha dhe histori krejtësisht të ndryshme në kompeticionin më prestigjioz për klube në Evropë.
Paris Saint-Germain hyn në këtë finale si kampion në fuqi i Evropës dhe synon të mbrojë trofeun e fituar sezonin e kaluar, kur mposhti Interin me rezultat bindës 5-0 në finalen e madhe, transmeton Klankosova.tv.
Klubi francez kërkon të konfirmojë dominimin e tij në futbollin evropian dhe të ndërtojë një epokë të re suksesi në nivel kontinental.
Në anën tjetër, Arsenal rikthehet në finalen e Ligës së Kampionëve pas plot 20 vitesh, me londinezët që ëndërrojnë trofeun e parë evropian në historinë e klubit.
Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta ka kaluar një sezon të shkëlqyer, duke u konsoliduar si një nga ekipet më të forta në Angli dhe në Evropë, me një grup lojtarësh të rinj dhe shumë konkurrues.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, e ka cilësuar këtë finale si një “duel që do të vendoset nga detajet”, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit dhe eksperiencës në ndeshje të këtij niveli.
Në kampin anglez, ndërkohë, besimi është i madh se ky është momenti ideal për të shkruar historinë dhe për të fituar trofeun më të rëndësishëm në futbollin evropian për klube.
Finalja e sontme shihet si një përballje klasike mes përvojës dhe urisë për sukses. PSG mbështetet te forma e jashtëzakonshme e lojtarëve si Ousmane Dembélé dhe Khvicha Kvaratskhelia, ndërsa Arsenal ka si pika kyçe Declan Rice dhe Bukayo Saka, si dhe një repart defensiv që ka qenë ndër më të fortët në Evropë këtë sezon.
Mbetet të shihet se kush do ta ngrejë trofeun më të madh të futbollit evropian në fund të mbrëmjes në Budapest.



