Çifti Obama e dënon vrasjen e protestuesit në SHBA: Thirrje për zgjim

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe bashkëshortja e tij, Michelle Obama, kanë reaguar me një deklaratë të publikuar në platformën X pas vrasjes së një protestuesi 37-vjeçar në Minneapolis nga agjentë federalë të imigracionit.

Në mesazhin e përbashkët, çifti Obama e cilëson vrasjen e Alex Pretti si një “tragjedi që të shqetëson shpirtin” dhe si një “thirrje për zgjim për çdo amerikan, pavarësisht nga bindjet politike”. Sipas tyre, qytetarët presin që zbatuesit e ligjit dhe agjentët e imigracionit të veprojnë në mënyrë ligjore dhe të përgjegjshme, duke bashkëpunuar me autoritetet lokale për të siguruar rendin dhe sigurinë – por kjo nuk është ajo që po shohin në Minesota.

Obama dhe Michelle shkruan se taktikat e përdorura nga agjentët federalë janë “të paprecedentë”, duke i përshkruar ato si intimiduese dhe të rrezikshme për banorët e qyteteve të mëdha amerikane. Sipas tyre, këto taktika kanë çuar tashmë në vrasjen e dy qytetarëve amerikanë në Minneapolis, ndonëse qeveria ka dhënë shpjegime që nuk janë mbështetur nga hetime serioze apo prova vizuale.

Në fund të deklaratës së tyre, Obamat u bënë thirrje amerikanëve që të mbështesin protestat paqësore që po zhvillohen në Minneapolis dhe në mbarë vendin, duke nënvizuar se çdo qytetar ka përgjegjësinë të flasë kundër padrejtësisë, të mbrojë liritë themelore dhe të kërkojë llogaridhënie nga qeveria.

Latest news
Related news