Roma mori një fitore dramatike dhe shumë të rëndësishme në garën për Ligën e Kampionëve, duke triumfuar 2-3 ndaj Parma në një ndeshje të çmendur në “Tardini”.
Skuadra romake e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, kur Malen realizoi për epërsinë 0-1. Megjithatë, vendasit reaguan fuqishëm dhe përmbysën gjithçka me golat e Strefezzas dhe Keitas, duke kaluar në avantazh 2-1, transmeton Klankosova.tv.
Kur dukej se Parma po shkonte drejt një fitoreje të madhe, Roma tregoi karakter të jashtëzakonshëm në minutat shtesë. Fillimisht barazoi Rensch në minutën 90+4, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Malen realizoi nga penalltia për 2-3 dhe shpërtheu festën e mysafirëve.
Me këtë fitore dramatike, Roma vazhdon të ëndërrojë kualifikimin në Champions League, pasi tash ka vetëm një pikë më pak se Juventus dhe barazohet me Milan me nga 67 pikë.
Java e ardhshme sjell derbin e madh lokal ndaj Lazio, një duel që mund të përcaktojë fatin e romakëve për Champions League në edicionin e ardhshëm.



