CNN raporton për arinjtë në fshatin e Dragashit

Media e njohur amerikane, CNN, edicioni në Greqi, ka raportuar për arinjtë e kafenjtë që endeshin rrugëve në mes të ditës në fshatin Belobrad të Dragashit, çka thotë se i detyruan banorët të mbyllnin dy herë dyert dhe shkollën lokale të kërkonin ndihmën e policisë.

Fshati me 700 banorë është i rrethuar nga pyje dhe nuk është e pazakontë të shohësh një ari duke kërkuar ushqim, veçanërisht në ditët e ftohta të dimrit. Megjithatë, këtë vit kafshët nuk pritën të vinte i ftohti, transmeton Klankosova.tv.

“I pashë në mes të ditës, po endeshin nëpër fshat sikur të ishin kafshë shtëpiake”, tha për AFP-në Gëzimi, një banor që nuk donte të zbulonte mbiemrin e tij.

Edhe Klan Kosova ka raportuar mbi arinjtë që po enden rrugëve të Belobradit. Në disa prej videove të shpërndara, shihet teksa arinjtë ecin dy nga dy, eksplorojnë kopshtet dhe përmbysin mobiljet, duke kërkuar ushqim. Dy prej tyre u kapën në flagrancë: po hapnin thasë të mëdhenj të bardhë që përmbanin sheqer ose miell në një depo.

Shkolla fillore e fshatit, nga ana e saj, i kërkoi policisë “të marrë menjëherë masa për të shfarosur ose larguar arinjtë që u shfaqën brenda kufijve të komunës sonë”.

Është shumë e rrezikshme të ecësh përreth në mëngjes dhe në mbrëmje, ndërsa nxënësit shkojnë ose kthehen nga shkolla, thanë mësuesit në letrën e tyre të hapur.

Bexhet Xheladini, kryetari i komunës së Dragashit, kërkoi ndihmën e shoqatës lokale të gjuetisë për të mbrojtur banorët. Gjuetarët ranë dakord, në bashkëpunim me autoritetet komunale, të monitorojnë zonën dhe të raportojnë çdo pamje ariu në zonat e banuara.

Ndërkaq, Klankosova.tv ka mësuar se në orët e vona të së mërkurës, arinjtë janë kapur dhe dyshohet se janë dërguar më thellë në pyll. /Klankosova.tv

Kapen arinjtë që shqetësuan banorët e Bellobradit të Dragashit (VIDEO)

The post CNN raporton për arinjtë në fshatin e Dragashit appeared first on Klan Kosova.

Latest news
Related news