Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se tre kosovarët e raportuar si të zhdukur janë gjetur pa shenja jete në një automjet të përmbysur në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit.
Sipas MPB-së, rasti është raportuar më 19 korrik 2026, rreth orës 22:35, kur në SPB Shkup është njoftuar për një veturë të markës “Mercedes” me targa gjermane të përmbysur në këtë aks rrugor.
Menjëherë pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të vdekur, një mashkull dhe dy femra. Vdekja e tyre është konfirmuar nga një mjek i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.
MPB ka bërë të ditur se më herët, në orën 13:40, një shtetas i Kosovës kishte raportuar në Stacionin Policor Bit Pazar se tre persona ishin zhdukur. Kontakti i fundit me ta ishte realizuar më 18 korrik 2026, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit./Klankosova.tv




