Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani, është transferuar në elitën e futbollit Italian.
Kështu kanë raportuar mediat italiane të cilët kanë bërë të ditur se Venezia FC ka arritur marrëveshje me AC Sparta Prague për blerjen e kartonit të tij, transmeton Klankosova.tv.
Sipas raportimeve, marrëveshja mes dy klubeve është arritur për 7.5 milionë euro, ndërsa përmes bonuseve vlera totale e transferimit mund të arrijë deri në 9.5 milionë euro.
Gjithashtu, Sparta e Pragës do të mbajë edhe 10 për qind të shumës nga një shitje e ardhshme e sulmuesit kosovar.
Rrahmani, i cili muajin e ardhshëm mbush 26 vjeç, iu bashkua Spartës së Pragës dy vite më parë nga FC Rapid 1923 për rreth pesë milionë euro.
Gjatë aventurës së tij në Çeki, ai zhvilloi një sezon të suksesshëm duke realizuar 16 gola dhe katër asistime në 49 ndeshje zyrtare.
Sulmuesi kosovar u dallua edhe në UEFA Europa Conference League, ku shënoi katër gola në 13 paraqitje, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane.
Në anën tjetër, Venezia rikthehet këtë sezon në Serie A pas triumfit në Serie B, ndërsa trajneri Giovanni Stroppa synon të përforcojë repartin ofensiv përpara fillimit të edicionit të ri.
Nëse transferimi zyrtarizohet, Rrahmani do të bëhet një tjetër futbollist kosovar që do të luajë në elitën e futbollit italian.



