Estonia planifikon që Suedisë t`ia lirojë hapësirat e burgut me qira

Plani i Estonisë për të dhënë me qira hapësirë burgu Suedisë ka shkaktuar shqetësime në rritje mes zyrtarëve estonezë për sigurinë kombëtare dhe rrezikun e importimit të krimit të organizuar. Sipas marrëveshjes paraprake, Estonia do të strehojë deri në 600 të burgosur suedezë në Burgun e Tartut, me synimin për të përfituar mbi 30 milionë euro të ardhura.

Megjithatë, Zyra e Avokatit të Popullit të Estonisë dhe Shërbimi i Sigurisë së Brendshme (ISS) kanë ngritur shqetësime serioze mbi rreziqet që kjo marrëveshje mund të sjellë. Shqetësimi kryesor është që Estonia mund të shndërrohet pa dashje në një pikë lidhëse për rrjete ekstremiste ose kriminalitet të organizuar ndërkombëtar, raporton euronews.

Sipas Marta Tuul, zëdhënëse e ISS, shqetësimi nuk ka të bëjë vetëm me të burgosurit, por edhe me personat që mund t’i vizitojnë ata – disa prej të cilëve mund të kenë lidhje me ekstremizmin ose krimin e organizuar.

Këto paralajmërime theksojnë nevojën për një balancë të kujdesshme mes përfitimit ekonomik dhe sigurisë kombëtare. Edhe pse Estonia mund të përfitojë financiarisht nga marrëveshja, ISS i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë seriozisht rekomandimet e tyre për të shmangur pasoja të padëshiruara për sigurinë e brendshme dhe kushtet në burgje.

Latest news
Related news