Festë e “çmendur” në Londër, Arsenali e feston titullin e Premier League

Pavarësisht zhgënjimit të madh pas humbjes me penallti ndaj PSG-së në finalen e Champions League, Arsenali gjeti shpejt arsye për të festuar, teksa mijëra tifozë dolën në rrugët e Londrës veriore për të përshëndetur skuadrën kampione të Anglisë.

Lojtarët dhe stafi i klubit morën pjesë në paradën madhështore të titullit me autobusë me çati të hapur, duke festuar trofeun e Premier League, i cili rikthehet në “Emirates” pas një pritjeje të gjatë prej 22 vitesh, transmeton Klankosova.tv.

Atmosfera festive pushtoi kryeqytetin anglez, ndërsa tifozët kishin zënë pozicionet e tyre që në orët e para të mëngjesit për të parë nga afër futbollistët që i dhanë fund një prej periudhave më të gjata pa titull në historinë moderne të klubit.

Sipas vlerësimeve të policisë, parada e Arsenalit ka qenë një nga ngjarjet më të mëdha festive në historinë e futbollit anglez, me mbi 1.5 milion persona të mbledhur përgjatë itinerarit rreth pesë milje në Londrën veriore.

E gjithë zona u mbulua nga ngjyrat kuqe e bardhë të klubit, ndërsa flamujt, fanellat dhe fishekzjarrët krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme. Tifozët shoqëruan procesionin me këngë dhe brohoritje, duke festuar suksesin e shumëpritur, transmeton Klankosova.tv.

Organizatorët kishin vënë në dispozicion katër autobusë të ndryshëm: një për ekipin e meshkujve, një për stafin teknik, një për ekipin e femrave dhe një tjetër për përfaqësues të komunitetit, tifozë dhe pjesëtarë të stafit të klubit.

Megjithatë, pavarësisht humbjes në Champions League, Arsenali arriti ta mbyllë sezonin me trofeun më të dëshiruar në Angli, duke i dhënë fund pritjes 22-vjeçare dhe duke rikthyer klubin në majën e futbollit anglez.

Latest news
Related news