Klubi i basketbollit Golden Eagle Ylli ka prezantuar sot zyrtarisht trajnerin e ri të skuadrës, grekun me përvojë Fotis Takianos.
Takianos, i lindur në Selanik, është një figurë e njohur në basketbollin grek, me një karrierë të gjatë si lojtar dhe trajner. Si lojtar, ai ka qenë pjesë e disa prej klubeve më prestigjioze greke, përfshirë Makedonikos, PAOK dhe Aris.
Pas përfundimit të karrierës aktive, ai kaloi në bankinën e trajnerëve, fillimisht si ndihmës trajner në ekipe si Iraklis, AEK dhe PAOK, ndërsa më pas mori drejtimin e skuadrave si Panorama, Rethymno, KAOD, OFI, Doxa Lefkadas, Trikala, Larisa e sërish PAOK, duke u shndërruar në një emër me reputacion në stolin e trajnerëve.
Në sezonin 2021–2022, Takianos u shpall “Trajneri i Vitit” në Greqi, pasi arriti ta çojë ekipin e Larisës deri në gjysmëfinalet e kampionatit elitar grek, një sukses që e vuri në qendër të vëmendjes në basketbollin evropian.
Përvoja e tij shtrihet edhe jashtë Greqisë, ku ka drejtuar klube në Katar, Qipro dhe Kazakistan, përfshirë edhe ekipin e Astana në VTB United League, një ligë ndërkombëtare me reputacion të lartë.
Takianos nuk është emër i panjohur për basketbollin kosovar. Ai ka qenë më parë trajner i Bashkimit të Prizrenit në vitin 2017 dhe i Rahovecit në vitin 2021, duke krijuar kështu një lidhje të njohur me ambientin e basketbollit në Kosovë.
The post Fotis Takianos emërohet në krye të Yllit appeared first on Klan Kosova.



