Marrëveshja me Danimarkën, ShKK: Transferimi i të burgosurve pritet të përfundojë sot

Procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan ka nisur këtë të enjte zyrtarisht, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e këtij institucioni për vuajtjen e dënimeve nga të burgosurit e dënuar nga autoritetet daneze.

Oda e Avokatëve të Kosovës, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se këtë njoftim e ka pranuar zyrtarisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, tashmë ka filluar transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan drejt institucioneve të tjera korrektuese.

Klankosova.tv ka kontaktuar me Shërbimin Korrektues të Kosovës duke adresuar pyetje rreth transferimit të të burgosurve në qendrat e tjera si dhe rreth kapaciteteve të Qendrës së Paraburgimit të Gjilanit.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Florent Gashi, konfirmoi për klankosova.tv se Qendra e Paraburgimit në Gjilan do të mbyllet përkohësisht për shkak të fillimit të punimeve për përshtatjen e këtij institucioni sipas standardeve dhe rregullave daneze të sistemit korrektues.

Ai thotë se të burgosurit dhe stafi do të transferohen në institucione të tjera korrektuese të ShKK-së, proces i cili, sipas tij, pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.

“Qendra e Paraburgimit në Gjilan do të mbyllet përkohësisht për shkak të fillimit të punimeve për përshtatjen e këtij institucioni sipas standardeve dhe rregullave daneze të sistemit korrektues. Për këtë arsye, të burgosurit dhe stafi do të transferohen në institucione të tjera korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Procesi i transferimit po realizohet sipas planit operativ dhe pritet të përfundojë brenda ditës”, ka thënë Gashi. /Klankosova.tv

Latest news
Related news