Gardiani i Drenicës shpallet “Ylli i javës”

Portieri i Drenicës, Kenan Haxhihamza, është shpallur fitues i çmimit tradicional “Ylli i Javës” për xhiron e 33-të në Superligën e Kosovës, pas një performance vendimtare në triumfin shumë të rëndësishëm të skuadrës së tij ndaj SC Gjilani me rezultat 2:1.

Çmimi, që ndahet nga Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, iu dha gardianit drenicas falë pritjeve vendimtare që ndihmuan ekipin të marrë tri pikë jetike në luftën për objektivat sezonale. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

Pas pranimit të çmimit, Haxhihamza u shpreh i lumtur për vlerësimin individual, duke theksuar rëndësinë e fitores dhe përgatitjen serioze të ekipit për këtë përballje.

“E kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, duke e ditur rëndësinë e saj dhe faktin që pikët duhej të mbesnin në Drenicë. SC Gjilani ka lojtarë cilësorë që mund ta vendosin ndeshjen, por ne e kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe ia dolëm të arrijmë rezultatin që deshëm”, deklaroi ai.

Portieri i Drenicës vlerësoi gjithashtu punën e shtabit teknik dhe rolin e kapitenëve në krijimin e atmosferës pozitive brenda skuadrës.

“Shtabi i trajnerëve ka bërë punë të jashtëzakonshme që nga ardhja e tyre, ndërsa kapitenët me eksperiencën e tyre kanë krijuar një frymë të shkëlqyer në zhveshtore, gjë që reflektohet edhe në fushë. Ne gjithmonë paraqitemi si një ekip i bashkuar”, shtoi Haxhihamza.

Në fund, ai uroi edhe FC Drita për titullin kampion në Superligë, duke i dëshiruar sukses në garat evropiane.

Latest news
Related news