Gazi amerikan, Kryeziu: Kishte përpjekje që amerikanëve t’u thuhej “mos na hyn gazi rus” (VIDEO)

Njohësja e çështjeve të energjisë, Laura Kryeziu sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur për projektin e gazit amerikan dhe zhvillimet që lidhen me të.

Kryeziu tha se gjatë procesit të diskutimeve për projektin ka pasur komunikime që, sipas saj, kanë krijuar paqartësi, duke përmendur edhe pretendime për mundësinë e përfshirjes së gazit rus.

“Unë nuk dua t’i cek të gjitha informacionet e brendshme, mirëpo natyrisht, prej burimeve të njëjta kanë filluar që, si me thënë, t’ua tërheqin vërejtjen amerikanëve që “të mos na hyjë gazi rus”.

Ajo e cilësoi si absurd nivelin e këtij komunikimi dhe tha se mënyra se si është përmbyllur ky proces, sipas saj, duhet të rishikohet.

“Ka pasur një nivel të tillë absurditeti në këtë komunikim, në të cilin edhe mënyra se si është përmbyllur ky proces, unë gjithmonë kam shpresuar që do të rivizitohet, e sidomos tani jam shumë e brengosur, kur tash e dimë se Kosova, në atë kohë, Maqedonia dhe Greqia, sapo kishin përfunduar këtë mosmarrëveshje që e kishin pasur rreth emrit dhe kishin filluar ndërtimin e ringut, domethënë të gypit të gazit në Maqedoni dhe testohej në atë kohë”, tha ajo.

Kryeziu theksoi se Kosova ishte pjesë e përgatitjeve për një mundësi të furnizimit me gaz përmes Maqedonisë së Veriut.

“Ne ishim ata të cilët kishim edhe vizita në Greqi dhe në këtë aspekt, ishte një parapërgatitje në të cilën e dinim të gjithë se, në qoftë se Kosova do të fillonte me gaz, atëherë do të fillonte në rutin nga Maqedonia. Tek e fundit, ne kemi zbuluar që edhe në vitet ’70 Kosova ka pasur lidhjen e saj të gazit me Maqedoninë”, tha Kryeziu./Klankosova.tv

Latest news
Related news