Fotografitë më të fundit nga një rrugë e rëndësishme logjistike ruse nxjerrin në pah ndikimin gjithnjë e në rritje të përpjekjeve të Ukrainës për t’i penguar dhe kufizuar operacionet ruse. /REL/


“R150” është quajtur “arteria kryesore logjistike” e Rusisë për ushtrinë pushtuese në jug të Ukrainës dhe përbën një pjesë të “urës tokësore” të Kremlinit drejt Krimesë.

Në fillim të qershorit, autoritetet vendase njoftuan kufizime për qarkullimin e pasagjerëve përgjatë “autostradës R150”, duke përfshirë edhe ndalimin e transportit të fëmijëve.

Në javët e fundit, Ukraina është përqendruar në atë që e quan fushata e “goditjeve në thellësi të mesme”, e cila synon logjistikën ruse deri në 200 kilometra larg vijave të frontit.

Mjetet e furnizimit larg vijave të frontit zakonisht transportojnë ngarkesa më të mëdha sesa ato pranë frontit dhe lëvizin pa mbrojtje të blinduar ushtarake, gjë që i bën ato caqe relativisht të lehta për operatorët e dronëve që arrijnë të depërtojnë thellë në territorin e kontrolluar nga Rusia.

Një pjesë e ngarkesave që kalojnë nëpër “autostradën R150” është e destinuar për Gadishullin e Krimesë, i cili vuan nga mungesa furnizimesh, ku civilëve tani u është ndaluar blerja e karburantit. Mungesat ka të ngjarë të përkeqësohen nga një sulm ndaj depove të naftës që ndodhi gjatë natës së 20–21 qershorit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi një sulm ndaj objektit të naftës, rreth 1 kilometër nga skaji perëndimor i Urës së Kërçit, si pjesë e një serie goditjesh që synuan “objekte në të dy anët e Urës së Krimesë”.

Pas sulmeve të 20–21 qershorit, trafiku në urën që lidh Rusinë me Krimenë u raportua se u mbyll.



