Pas reagimeve të shumta dhe masave të ndërmarra lidhur me kushtet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, të cilat erdhën pas publikimit të pamjeve nga qytetarja Aulonë Mehmeti gjatë trajtimit të fëmijës së saj në këtë klinikë, ka reaguar Durim Elshani, këshilltar në kabinetin e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Përmes një postimi në Facebook, Elshani është munduar ta arsyetojë gjendjen në Pediatri, duke thënë se sistemi shëndetësor ka trashëguar probleme të shumta infrastrukturore dhe se ndërhyrjet janë bërë fillimisht në njësitë ku ka pasur më së shumti nevojë.
Por, megjithatë Elshani ka pranuar se në disa aspekte nuk është vepruar me intensitetin e duhur, raporton Klankosova.tv.
“Nuk po flas për tjera, sepse çështja e reagimit të juaj ka të bëjë edhe me çarçafa, edhe me letër banjoje, edhe pajtohem që standardi i një sistemi shëndetësor nuk matet veç me investimet që i përmenda. Nuk matet veç me sa aparatura moderne blen; me sa ligje miraton; me sa staf shton; me sa spitale e poliklinika bon… Matet edhe me pastërtinë e një dhome, me pastërtinë e një shtrati, me pastërtinë e një tualeti, me një sapun që zëvendësohet kur harxhohet, me sjelljen e stafit ndaj pacientit. N’këtë pjesë nuk e kemi pas dorën e hekurt”, shkroi ai.
E tek tash, sipas tij, edhe kësaj klinike i ka ardhur radha për ‘transformim’, por veçse jo këtë vit, por në vitin e ardhshëm.



