Gjithçka mbetet hapur në Premier League, City arrin fitore të ëmbël ndaj Brentfordit

Manchester City ka regjistruar fitore bindëse në shtëpi ndaj Brentford FC, në ndeshjen e vlefshme për javën e 38-të të Premier League.

“Qytetarët” dominuan pothuajse gjatë gjithë takimit dhe arkëtuan tri pikë të rëndësishme me rezultat të pastër 3-0.

Skuadra e Pep Guardioles krijoi raste të shumta që në pjesën e parë, por pavarësisht presionit të vazhdueshëm, nuk arriti të zhbllokonte rezultatin.

Goli i parë për Manchester Cityn erdhi në minutën e 60-të, kur Jeremy Doku realizoi një supergol për të kaluar ekipin e tij në epërsi.

Belgu vazhdoi formën e mirë, pasi kishte shënuar edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Evertonit.

Epërsia e vendasve u thellua në minutën e 75-të nga Haaland, i cili realizoi me thembër pas një topi të kthyer nga afërsia, duke ngritur entuziazmin në stadium.

Në minutat shtesë të takimit, në listën e realizatorëve u regjistrua edhe Omar Marmoush, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 3-0 me një gol të bukur në minutën 90+3.

Pas kësaj fitoreje, Manchester City shkon në kuotën e 74 pikëve, duke mbetur vetëm dy pikë prapa Arsenal FC në garën për kreun e tabelës. Ndërkohë, Brentford renditet në pozitën e tetë me 51 pikë.

Deri në përfundim të sezonit në Premier League kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar.

Latest news
Related news