Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka ftuar qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në konsultimin publik të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) për përzgjedhjen e dizajnit të ri të serisë së kartëmonedhave euro.
Përmes një postimi, Ismaili bëri të ditur se BQE-ja ka prezantuar propozimet e përzgjedhura për dizajnin e ri të kartëmonedhave dhe ka hapur procesin e konsultimit publik, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të shprehin preferencat e tyre.
Ai theksoi se kjo nismë ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, pasi euro është valuta zyrtare e vendit.
“Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e eurozonës, rruga jonë drejt integrimit evropian po mbështetet nga reforma të rëndësishme, përfshirë modernizimin e sistemit të pagesave dhe avancimin e procesit të integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA)”, ka shkruar Ismaili.
Guvernatori u bëri thirrje qytetarëve të njihen me propozimet e reja dhe të ndjekin procesin e përzgjedhjes së dizajnit fitues, i cili pritet të shpallet në fund të këtij viti.
Sipas tij, pjesëmarrja në konsultimin publik nuk është vetëm një mundësi për të shprehur preferencën për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro, por edhe për të forcuar njohuritë dhe edukimin financiar lidhur me valutën që përdoret çdo ditë në Kosovë.
Ismaili ka njoftuar se qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në konsultimin publik të BQE-së mund ta bëjnë këtë përmes linkut të publikuar në postimin e tij.



