Sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haaland, ka thënë se i gjithë presioni para përballjes me Anglinë në çerekfinale të Kupës së Botës është mbi skuadrën e Thomas Tuchel.
Me një buzëqeshje, ylli i Manchester Cityt u bëri thirrje mediave që ta rrisin presionin ndaj anglezëve para ndeshjes së së shtunës.
“Po, definitivisht. Ka disa favoritë të qartë dhe Anglia është një prej tyre. Mendoj se të gjithë ju duhet të vendosni çdo presion mbi djemtë anglezë”, tha Haaland.
Norvegjia, e cila nuk kishte marrë pjesë në një Botëror që nga viti 1998, ka arritur për herë të parë në histori në fazën çerekfinale, pasi përfundoi e dyta në grup dhe eliminoi Bregun e Fildishtë dhe Brazilin në fazën me eliminim direkt, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.
Haaland, 25-vjeçar, ka shënuar në 14 ndeshjet e fundit konkurruese me Norvegjinë dhe do të kërkojë ta vazhdojë këtë seri ndaj Anglisë, vendit ku ka lindur.
“Për të qenë në çerekfinale të Kupës së Botës me Norvegjinë është diçka befasuese edhe për mua. Të mposhtësh Brazilin dhe më pas të luash ndaj Anglisë në çerekfinale është diçka shumë e veçantë”, u shpreh ai.
Sulmuesi norvegjez ka qenë një nga protagonistët kryesorë të rrugëtimit të ekipit të tij, duke shënuar shtatë gola në katër paraqitje, përfshirë dy gola në fitoren ndaj Brazilit.
Haaland ka fituar gjithashtu shumë popullaritet gjatë Botërorit në SHBA, jo vetëm për golat, por edhe për karakterin e tij jashtë fushës.



