Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar lidhur me debatin për projektin e gazit amerikan, duke e cilësuar moszgjedhjen e tij si një gabim strategjik me pasoja afatgjata për Kosovën.
Përmes një postimi në facebook, Haradinaj ka deklaruar se çështja e gazit nuk është një debat mes gazit dhe thëngjillit apo një diskutim ideologjik për tranzicionin energjetik, por një çështje që lidhet drejtpërdrejt me orientimin strategjik të shtetit.
“Kosova po bën një gabim kardinal që do ta paguajë për dekada.
Debati për gazin është dilemë e turpshme mbi orientimin strategjik të Kosovës, e nuk është debat mes gazit dhe thëngjillit. Nuk është as debat ideologjik mbi tranzicionin energjetik. Dhe pikërisht këtu po bëhet gabimi e po dëshmohet mosdija.
Në vitin 2026, të informosh vendime strategjike përmes qasjeve që burojnë nga mendësia e ish-strukturave jugosllave të politikës dhe sigurisë, në vend se përmes koordinimit me aleatin strategjik të Kosovës në Washington, është një keqlexim serioz i rendit të ri ndërkombëtar.
Edhe më shqetësues bëhet ky zhvillim kur, pavarësisht deklarimeve se “nuk jemi kundër gazit amerikan”, refuzohet pikërisht projekti konkret që Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur si pjesë të vizionit të tyre për sigurinë energjetike të rajonit.
Në gjeopolitikë energjia nuk është më vetëm energji. Është instrument. Është siguri kombëtare. Është politikë e jashtme në formën e saj më të drejtpërdrejtë. Përmes energjisë ndërtohen aleanca, zvogëlohen varësitë dhe forcohen kufijtë strategjikë.
Pikërisht për këtë arsye, administratat amerikane, pa dallim nëse kanë qenë republikanë apo demokratë, kanë ndjekur për dekada një politikë të qëndrueshme të diversifikimit energjetik të Evropës dhe të reduktimit të varësisë nga furnizues që energjinë e përdorin si instrument presioni gjeopolitik.
Presidenti Donald Trump e artikuloi këtë qasje në mënyrë më të drejtpërdrejtë, por nuk e shpiku atë. Lufta në Ukrainë vetëm sa konfirmoi atë që Washingtoni e kishte identifikuar prej kohësh: siguria energjetike është siguri kombëtare.
Evropa, fatkeqësisht, e kuptoi këtë realitet me vonesë dhe pagoi një çmim të lartë ekonomik dhe politik. Shtetet që e kuptuan këtë nuk pritën të detyroheshin nga krizat. Polonia investoi për më shumë se një dekadë në infrastrukturën e LNG-së dhe në lidhje alternative furnizimi, duke eliminuar varësinë nga gazi rus. Lituania ndërtoi terminalin e LNG-së si projekt të sigurisë kombëtare. Kroacia u shndërrua në një nyje rajonale përmes terminalit në Krk. Rumania forcoi sigurinë e saj energjetike për të reduktuar ekspozimin strategjik ndaj Rusisë.
Asnjëra prej këtyre vendeve nuk e trajtoi energjinë si debat teknik. Të gjitha e trajtuan si çështje të sigurisë kombëtare.
Kosova nuk është e divorcuar nga kjo hartë gjeopolitike. Përkundrazi.
Kosova ndodhet pikërisht në kufirin ku përplasen e konkurrojnë ashpër e me mjete të pabarabarta interesat strategjike të Perëndimit me përpjekjet e Rusisë për ta ruajtur ndikimin e saj në Ballkan përmes Serbisë. E kemi provuar së fundmi në agresionin terrorist në Banjskë, dhe sulmin në Ibër Lepenc. Prandaj kufiri Kosovë – Serbi përveçse kufi territorial, është kufi strategjik i Perëndimit me Rusinë. Këtë nuk po e kupton kjo qeveri!
Prandaj, Kosova nuk duhet ta forcojë këtë kufi vetëm sepse këtë e këshillon Washingtoni. Duhet ta forcojë sepse këtë e kërkon interesi i saj shtetëror e kombëtar.
Ky kufi duhet të jetë aq i fortë politikisht, ekonomikisht dhe energjetikisht, sa të verbojë çdo ambicie për zgjerimin e ndikimeve malinje në Ballkan përmes Serbisë.
Në këtë kontekst, moszgjedhja e një projekti strategjik amerikan është refuzim i një mundësie për ta bërë Kosovën pjesë më të fortë të arkitekturës strategjike perëndimore. Është refuzim i forcimit të kufirit perëndimor përballë ndikimit rus.
Pikërisht këtu qëndron shkurtpamësia strategjike.
Kosova nuk mund të sillet sikur është një fuqi nukleare e vetë-mjaftueshme, si një ishull i shkëputur nga realiteti gjeopolitik. Është një shtet i vogël, me sfida të mëdha sigurie, ekzistenca dhe sovraniteti i të cilit janë ndërtuar dhe mirëmbahen përmes partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Prandaj për mua është e vështirë të kuptohet pse një projekt i mbështetur nga aleati ynë më i rëndësishëm trajtohet si një dosje teknike dhe jo si një investim në sigurinë afatmesme dhe afatgjatë të shtetit.
Një shtet serioz nuk pyet vetëm sa kushton një projekt sot. Një shtet serioz pyet sa siguri prodhon ai projekt nesër.
Në një botë që po ndahet në pole të qarta të interesit strategjik, rëndësi vendimtare ka se me kë ndërton infrastrukturën, nga kush e siguron energjinë dhe në cilin sistem politik e strategjik e ankoron të ardhmen e vendit.
Çdo vendim që dobëson praninë strategjike të SHBA-së në sektorë kritikë dobëson edhe pozitën ndërkombëtare të vetë Kosovës.
Unë NUK mendoj se mund të ecim drejt integrimit Euro-Atlantik duke i informuar vendimet tona strategjike nga ish-funksionarët jugosllavë… mbase, me ata mund të kthehemi në një drejtim tjetër!”, ka shkruar Haradinaj.



