Izraeli po kërkon lirimin e të gjithë 50 pengjeve që mbahen në Gaza, tha një zyrtar izraelit, duke vënë në dyshim nëse do ta pranojë një propozim të ri për një armëpushim 60-ditor, të cilin Hamasi e pranoi të hënën.
Propozimi, i paraqitur nga Katari dhe Egjipti, parashikon lirimin e rreth gjysmës së pengjeve dhe është “pothuajse identik” me një propozim amerikan që Izraeli e kishte pranuar më herët, sipas Katarit.
Izraeli nuk e ka hedhur poshtë në mënyrë eksplicite, por zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Mencer, i tha BBC-së se nuk janë të interesuar për “marrëveshje të pjesshme”.
“Gjërat kanë ndryshuar tani. Kryeministri ka paraqitur një plan për të ardhmen e Gazës”, tha Mencer.
Burime palestineze thanë se propozimi parashikon dorëzimin e 10 pengjeve të gjallë dhe 18 trupave të pajetë, ndërsa palët do të negocionin një armëpushim të përhershëm dhe lirimin e pengjeve të tjerë.
Izraeli beson se vetëm 20 nga 50 pengjet janë ende gjallë pas 22 muajsh lufte.
Më vonë këtë javë, kabineti izraelit pritet të miratojë planin e ushtrisë për të pushtuar qytetin e Gazës, ku sulmet ajrore të intensifikuara izraelite tashmë kanë detyruar mijëra njerëz të largohen.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi synimin e Izraelit për të pushtuar të gjithë Gazën, përfshirë zonat ku është strehuar pjesa më e madhe e 2.1 milionë banorëve palestinezë, pasi bisedimet e tërthorta me Hamasin për një marrëveshje armëpushimi dështuan muajin e kaluar.



