Një kamion cisternë që transportonte vaj kanola është përfshirë nga zjarri të premten në mëngjes në autostradën A8 pranë Aichelbergut, në distriktin Göppingen, në Gjermani.
Sipas policisë, fillimisht një gomë e përparme e kamionit është përfshirë nga flakët, të cilat më pas janë përhapur në kabinën e mjetit. Kabina është shkatërruar plotësisht nga zjarri, ndërsa shoferi 39-vjeçar ka arritur të dalë në kohë dhe ka shpëtuar pa lëndime.
Autoritetet bëjnë të ditur se vaji i kanolës në rezervuar nuk është prekur nga flakët, raporton Bild, transmeton Klankosova.tv
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë shpejt dhe kanë arritur ta shuajnë zjarrin brenda rreth një ore. Si pasojë e incidentit, autostrada është mbyllur përkohësisht në të dy drejtimet, duke shkaktuar kolona të gjata dhe bllokime trafiku mbi dhjetë kilometra.
Më vonë, korsitë në drejtim të Mynihut janë rihapur pjesërisht, ndërsa njëra korsi ka mbetur e mbyllur për disa orë derisa janë kryer kontrollet dhe pastrimi i rrugës. /Klankosvoa.tv



