Ushtria izraelite njoftoi të dielën se ka vrarë zëdhënësin e krahut të armatosur të Hamasit, në një kohë kur kabineti i sigurisë së Izraelit u mblodh për të diskutuar zgjerimin e ofensivës në disa nga zonat më të populluara të Gazës.
Sipas një zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat, në takim nuk kishte plane për të diskutuar negociatat për një armëpushim.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, e identifikoi zëdhënësin si Abu Obeida, emri i luftës i zyrtarit që përfaqësonte Brigadat e Kasamit të Hamasit. Ai u vra gjatë fundjavës. Hamasi nuk ka komentuar mbi pretendimin, raporton AP.
Deklarata e fundit e Abu Obeidës u publikua të premten, kur Izraeli nisi fazat fillestare të ofensivës së re dhe shpalli qytetin e Gazës zonë lufte. Në deklaratë, ai tha se militantët do të bënin çmos për të mbrojtur pengjet e gjalla, por paralajmëroi se ata do të gjendeshin në zonat e luftimeve. Ai shtoi se mbetjet e pengjeve të vdekur do të “zhdukeshin përgjithmonë”.



