Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se posedon listën me pagesa të disa prej drejtuesve të protestave në Shqipëri, që kanë nisur tash e disa javë.
Nga kjo listë, sipas tij, janë identifikuar persona që janë pjesë e pagesave të shërbimeve të huaja dhe që komandojnë dhunën në protestë.
Sipas Ballës, qëllimi i tyre është dëmtimi i imazhit dhe ekonomisë së Shqipërisë.
“Ka persona mes atyre që komandojnë dhunën brenda në protestë, të cilët unë i kam identifikuar me emra, që janë pjesë e listëpagesave të shërbimeve të huaja, që duan të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë, ekonominë e Shqipërisë. Ta Gardës Revolucionare padyshim.”, ka thënë Balla.
Ai ka shtuar se në ditët në vijim pret pret nga organet e drejtësisë procedime konkrete.
“Janë organet e drejtësisë që duhet t’i ndjekin shqetësimet dhe besoj që në ditët në vijim do të kenë fakte konkrete dhe procedime konkrete”, ka deklaruar Balla.
Këto komente, ai i ka bërë gjatë së enjtes, derisa ka vazhduar protesta me tensioni para Kuvendit të Shqipërisë, ku është dashur ndërhyrja e policisë.
Gjithashtu, përplasje ka pasur edhe brenda sallës së kuvendit, aty ku pozita e opozita janë ballafaquar me kundërshtime për reformën territoriale dhe disa pika tjera. /Klankosova.tv



