Një djalë 11-vjeçar nga Kanadaja ka ndërruar jetë nga tërbimi (rabies), pasi ishte zgjuar në gjumë nga një lakuriq nate që i kishte rënë mbi hundë dhe gojë.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2024, gjatë një qëndrimi familjar në një vilë në Ontario, sipas një raporti të publikuar në Canadian Medical Association Journal.
Djali nuk është identifikuar me emër në raport, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Sipas përshkrimit, ai e largoi lakuriqin me dorë, ndërsa babai më pas e kapi kafshën me një enë dhe e lëshoi jashtë.
Prindërit nuk kërkuan menjëherë ndihmë mjekësore, pasi djali nuk kishte shenja të dukshme të lëndimit dhe nuk u pa sjellje e pazakontë nga lakuriqi.
Rreth 19 ditë më vonë, ai filloi të shfaqte mpirje dhe ënjtje në fytyrë. Gjatë ditëve në vijim, familja e dërgoi disa herë në qendra mjekësore dhe spitale, ku fillimisht u dyshua për gjendje të tjera neurologjike dhe virale.
Në një klinikë emergjente, ai mori trajtim për virusin herpes, pasi mjekët menduan se mund të bëhej fjalë për paralizë të fytyrës (Bell’s palsy). Më pas, në spital u dyshua për një infeksion viral të gojës dhe mishrave të dhëmbëve.
Gjendja e tij u përkeqësua shpejt: ai zhvilloi temperaturë të lartë, vështirësi në gëlltitje, konfuzion dhe halucinacione vizuale. Më pas u intubua dhe u vendos në repartin e kujdesit intensiv pediatrik, ku gjendja vazhdoi të rëndohej rëndë.



