Koci, qytetarëve që udhëtojnë përmes Serbisë: Postimet në rrjete sociale mund t’ju sjellin telashe

Qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë ose të kalojnë transit nëpër Serbi duhet të tregojnë kujdes të shtuar me përmbajtjet që kanë publikuar në rrjetet sociale dhe platformat publike në internet.

Paralajmërimi vjen nga avokati Arianit Koci, i cili ka theksuar se edhe aktiviteti online mund të ketë pasoja ligjore në territorin e atij shteti.

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetin social Facebook, Koci ka theksuar se postimet, komentet apo përmbajtjet që mund të interpretohen si fyese, kërcënuese ose si nxitje e urrejtjes, mund të tërheqin vëmendjen e autoriteteve serbe dhe të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi.

Ai paralajmëron se situata të tilla mund të kenë pasoja serioze për qytetarët, varësisht nga rrethanat dhe interpretimi ligjor i autoriteteve.

“Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se përmbajtjet që publikojnë në rrjetet sociale, përfshirë komentet apo postimet e vjetra, mund të shqyrtohen nga autoritetet gjatë hyrjes apo qëndrimit në Serbi. Nëse këto përmbajtje vlerësohen si fyese, kërcënuese apo si nxitje e urrejtjes, atëherë, varësisht nga legjislacioni që zbatohet atje dhe rrethanat konkrete, ekziston mundësia që personat të ndalohen, të intervistohen dhe madje të procedohen penalisht ose për kundërvajtje,” ka deklaruar Koci transmeton Klankosova.tv.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që para udhëtimit të jenë të kujdesshëm dhe të rishikojnë aktivitetin e tyre publik në internet, duke theksuar se përmbajtjet digjitale mund të kenë ndikim real në kufi dhe gjatë qëndrimit në një shtet tjetër.

Latest news
Related news