Ministria e Ekonomisë ka hapur zyrtarisht konferencën para-dorëzimit të ofertave për tenderin e energjisë së erës në Kosovë (Kosovo Wind Tender – Pre-Bid Conference), duke shënuar nisjen e fazës përfundimtare të ankandit, përmes të cilit synohet ndërtimi i deri në 100 megavatëve kapacitete të reja të energjisë nga era, raporton Ekonomia Online.
Në këtë fazë, tre ofertues të parakualifikuar do të dorëzojnë ofertat e tyre teknike dhe financiare, ndërsa institucionet përgjegjëse vlerësuan se projekti do të kontribuojë në rritjen e sigurisë energjetike, tranzicionin drejt energjisë së ripërtëritshme dhe tërheqjen e investimeve në sektor.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ankandi për energjinë e erës është pjesë e vizionit për transformimin e sektorit energjetik dhe se procesi ka hyrë në fazën e ofertimit pas përfundimit me sukses të parakualifikimit.
“Ankandi për energjinë e erës, që po diskutojmë sot, i shërben pikërisht këtij vizioni. Përmes tij, Kosova do të shtojë deri në 100 megavat kapacitete të reja gjeneruese dhe ky proces vjen pas përmbylljes së suksesshme të një faze të mëhershme të kualifikimit, ku tre ofertues të parakualifikuar tashmë janë të ftuar të paraqesin ofertat e tyre teknike dhe financiare. Le t’i uroj mirëseardhje sot përfaqësuesve të Akuo Energy nga Franca, Notus Energy nga Gjermania, së bashku me partnerin Stublla Energy nga Kosova, si dhe konsorciumin Guris nga Turqia. Me mbështetjen e USAID-it dhe partnerëve të tjerë, në bashkëpunim të ngushtë me ZRRE-në, KOSTT-in dhe institucionet e tjera, kemi punuar që dokumentacioni, marrëveshjet dhe i gjithë procesi të jenë transparentë, por edhe të qëndrueshëm për financim, të drejtë dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”, tha ajo.
Rizvanolli theksoi se konferenca u mundëson investitorëve të sqarojnë aspektet teknike, rregullative dhe kontraktuale të projektit, në mënyrë që ofertat të jenë sa më cilësore.
“Konferenca e sotme është një mundësi për investitorët që të parashtrojnë pyetjet, të sqarojnë marrëveshjet e projektit, të diskutojnë për çështje teknike, rregullative, kontraktuale, në mënyrë që të jenë sa më të informuar dhe ofertat e tyre të jenë sa më cilësore dhe të mirëinformuara. Kjo është me rëndësi, veçanërisht te projektet e energjisë së erës, që janë më komplekse nga teknologjia, mirëpo gjithashtu, nga ana e rregullativës së KOSTT-it, janë shumë mirë të përputhura me kërkesën tonë për energji elektrike, prandaj edhe veçanërisht janë të rëndësishme për rrugën tonë përpara në tranzicionin energjetik”, tha ajo.
Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha se ankandi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe më konkurrues.
“Kjo konferencë shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt një sistemi elektroenergjetik të qëndrueshëm, më konkurrues dhe më të integruar me zhvillimet evropiane në sektorin e energjisë. Organizimi i ankandit për energji të ripërtëritshme nga era përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt transformimit të sektorit energjetik, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe përmbushjes së objektivave kombëtare për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të energjisë”, tha ai.
Ai shtoi se sfidat e dekarbonizimit, sigurisë energjetike dhe rritjes së kërkesës për energji kërkojnë politika dhe investime të qëndrueshme.
“Sektori i energjisë në Kosovë, si dhe në shumë vende të tjera, po kalon një periudhë transformimi të thellë. Sfidat me të cilat përballemi, siç janë dekarbonizimi, siguria energjetike, rritja e kërkesës për energji dhe procesi i integrimit të tregjeve të energjisë elektrike, kërkojnë politika të kujdesshme, po ashtu edhe vendime të kujdesshme që nxisin investime të qëndrueshme. Në këtë kontekst, energjia e erës paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën”, tha ai.
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, bëri të ditur se janë rezervuar tashmë kapacitetet e nevojshme të kyçjes në rrjet për të gjithë ofertuesit, me qëllim garantimin e trajtimit të barabartë gjatë procesit.
“Është shumë e rëndësishme të theksohet sot se, lidhur me kyçjet në rrjet, KOSTT veçse ka rezervuar kapacitetet e nevojshme të kyçjes në rrjet për të gjithë ofertuesit pjesëmarrës në këtë proces dhe këto kapacitete do të mbesin të rezervuara deri në përfundimin e këtij procesi të ofertimit. Kjo ka për qëllim që t’ju ofrojë të gjithë ofertuesve trajtim të barabartë dhe siguri të mjaftueshme gjatë përgatitjes së ofertave të tyre. Objektivi ynë është që procesi i kyçjes në rrjet të mos krijojë pasiguri të panevojshme apo disavantazh për asnjë pjesëmarrës. KOSTT e njeh plotësisht rëndësinë strategjike të këtij projekti. Zhvillimi i kapaciteteve të reja gjeneruese nga era kontribuon në tranzicionin energjetik, sigurinë e furnizimit gjenerues, si dhe në integrimin e mëtejmë të burimeve të përtëritshme të energjisë në sistemin tonë energjetik. Përpos kësaj, ky projekt ndihmon shumë edhe në adekuatësinë e gjenerimit, duke shtuar kapacitete të reja vendore dhe duke forcuar sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike”, tha ai.





