Lëndohet Çalhanoglu, rrezikon pjesëmarrjen në Kupën e Italisë

Hakan Çalhanoglu ka pësuar një tjetër dëmtim muskulor dhe, sipas raportimeve nga Italia, ylli i Interit është në dyshim për finalen e Kupës së Italisë kundër Lazio më 13 maj.

Klubi zikaltër konfirmoi të hënën se mesfushori turk ka pësuar një dëmtim të ri.

“Hakan Çalhanoğlu iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore këtë mëngjes në Humanitas Clinical Institute. Testet zbuluan një tendosje muskulore në soleusin e këmbës së majtë. Gjendja e tij do të vlerësohet në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit, transmeton Klankosova.tv

Sipas La Gazzetta dello Sport, dëmtimi mund ta lërë Çalhanoglun jashtë finales së Kupës së Italisë,

Mesfushori 32-vjeçar ka pasur probleme të shpeshta me lëndime këtë sezon, veçanërisht në pjesën e dytë të kampionatit, megjithatë ka arritur të regjistrojë 12 gola dhe 7 asistime në 30 ndeshje në të gjitha garat.

Ai gjithashtu ka munguar në 13 ndeshje gjatë këtij edicioni për shkak të problemeve fizike.

Të dielën, Çalhanoglu qëndroi në stol pa u aktivizuar në barazimin 2-2 ndaj Torinos, ndërsa trajneri i Interit, Cristian Chivu, deklaroi se lojtari nuk ishte plotësisht i gatshëm për lojë.

Sipas testeve të fundit, gjendja e tij shfaqet më shqetësuese sesa pritej fillimisht.

Latest news
Related news