Presidenti Donald Trump tha të premten se liderët e Tajlandës dhe Kamboxhias kanë rënë dakord të rinovojnë armëpushimin pas ditësh përleshjesh vdekjeprurëse, të cilat kishin rrezikuar të prishnin marrëveshjen e armëpushimit që administrata amerikane kishte ndihmuar të ndërmjetësonte më herët gjatë këtij viti.
Trump njoftoi marrëveshjen për rinisjen e armëpushimit në një postim në rrjetet sociale, pas bisedave me kryeministrin tajlandez, Anutin Charnvirakul, dhe kryeministrin kamboxhian, Hun Manet, raporton AP.
“Ata kanë rënë dakord të NDALIN gjithë të shtënat duke filluar nga sonte dhe të kthehen te Marrëveshja fillestare e Paqes e arritur me mua, dhe ata, me ndihmën e Kryeministrit të Madh të Malajzisë, Anwar Ibrahim,” tha Trump në postimin e tij në ‘Truth Social’.
Zyrtarët tajlandezë dhe kamboxhianë nuk ofruan komente të menjëhershme pas njoftimit të Trump-it. Anutin, pasi foli me Trump-in, para postimit të presidentit amerikan, tha se i kishte përsëritur Trump-it se pozicioni i Tajlandës ishte të vazhdonte luftën derisa Kamboxhia të mos përbënte më kërcënim për sovranitetin e saj.
“Është nderi im të punoj me Anutin dhe Hun për të zgjidhur atë që mund të ishte shndërruar në një Luftë të madhe mes dy vendeve përndryshe të mrekullueshme dhe të begata!” shtoi Trump.
Armëpushimi fillestar në korrik ishte ndërmjetësuar nga Malajzia dhe ishte shtyrë përpara nga presioni i Trump, i cili kishte kërcënuar të pezullonte privilegjet tregtare nëse Tajlanda dhe Kamboxhia nuk pajtoheshin. Në tetor, ai u formalizua më me detaje në një takim rajonal në Malajzi ku mori pjesë Trump.



