Federico Chiesa pritet të largohet nga Liverpool vetëm një vit pas transferimit në “Anfield”, me klubin anglez që tashmë ka vendosur çmimin për sulmuesin italian.
Sipas raportimeve nga Italia, Liverpool kërkon mes 20 dhe 25 milionë euro për kartonin e Chiesas, shifër që do t’i siguronte klubit anglez fitim të kënaqshëm, por që njëkohësisht reflekton edhe vlerën dhe eksperiencën e lojtarit, transmeton Klankosova.tv.
Klubi më i interesuar për rikthimin e tij mbetet Juventus. Bardhezinjtë e njohin shumë mirë Chiesan nga periudha e kaluar në Torino dhe në Itali po rritet bindja se një rikthim do t’u përshtatej të gjitha palëve.
Përveç Juventusit, interesim kanë shfaqur edhe Napoli, Roma, Milan, Atalanta dhe Bologna, por “Zonja e Vjetër” shihet si favorite për shkak të lidhjes emocionale të lojtarit me klubin dhe përshtatjes taktike që ai kishte në Serie A.
Chiesa nuk arriti të ketë vazhdimësinë e pritur te Liverpool, ndërsa dëmtimet dhe konkurrenca e fortë në repartin ofensiv ndikuan që anglezët të jenë të hapur për shitjen e tij këtë verë. / Klankosova.tv



