Lufta italiane në ‘Le Mans’! Ducati jashtë – Aprilia merr të tre vendet e podiumit

Jorge Martin ka fituar një duel dramatik me shokun e ekipit në Aprilia, Marco Bezzecchi, duke siguruar fitoren e dyfishtë të fundjavës në Le Mans (garën Sprint dhe atë zyrtare).

‘Martinator’ u nis nga pozita e 8-të në rreshtin e tretë të gridit, por në të dy garat ishte i jashtëzakonshëm për sa i përket tejkalimeve dhe rikuperimin e pozitave, transmeton klankosova.tv.

Në garën zyrtare, ishte Bezzecchi që udhëhoqi për shumicën e garës, por Martin, me ritëm të fortë në fazën e fundit, e kaloi shokun e tij me një ndërhyrje të guximshme në kthesën e dytë, tri raunde para fundit. Bezzecchi u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, ndërsa Ai Ogura nga skuadra ‘satelit’ e Aprilia “Trackhouse Racing”, ngjiti podiumin e parë të karrierës në MotoGP duke e kaluar Acosta-n në xhiron e 23-të.

Podiumi:

-Jorge Martin (Aprilia Racing);

-Marco Bezzecchi (Aprilia Racing);

-Ai Ogura (Trackhouse Aprilia).

Ndërsa te Ducati kishte dramë, ku Marc Marquez pësoi një aksident të rëndë në Sprint të shtunën dhe kampioni botëror u diagnostikua me frakturë të metatarsalit të pestë të këmbës së djathtë. Ai u shpall i papërshtatshëm për garën e së dielës  (MotoGP) dhe do të mungojë edhe në raundin e ardhshëm të Katalunjës, në vendlindjen e vëllezërve Marquez.

Peco Bagnaia, po ashtu nuk arriti ta përfundoj garën e së dielës, duke e lënë Aprilian në të tri pozitat e podiumit.

Pas garës, Bezzecchi mbetet lider, por Martin i afrohet me një diferencë prej vetëm 1 pike, ndërsa Marquez tani është 71 pikë prapa liderit.

Latest news
Related news