Ministria e Infrastrukturës ka nisur sanimin e një rrëshqitjeje të madhe të dheut e cila ka ndodhur në janar të këtij viti, në magjistralen Klinë-Krushevë e Vogël.
Por, me fillimin e punimet atje ka lindur edhe një problem.
Makineritë e rëndë të punëkryesit, “zbarkuan” dhe nisën gërmimet në oborrin e Pashk Skelit, pa ndonjë marrëveshje paraprake për shpronësim e as njoftim se çka po ndodhte brenda pronës së tij.
Këtë situatë e shtjelloi javën e kaluar emisioni Kiks Kosova.
Lidhur me rastin ishte deklaruar edhe zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës Zef Morina.
Morina pati deklaruar se është në dijeni të rastit dhe se po zhvillohen punimet në një parcelë e cila nuk i ka kaluar procedurat e shpronësimit, por sipas tij terreni ka qenë ashtu që nuk ka lejuar pritje të gjata, njofton Klankosova.tv.
Por, duket se situata ka shkuar tutje.
Skeli, i cili jeton në Gjermani përmes kamerave, sot ka vërejtur se makineritë dhe krejt materiali është stacionuar brenda oborrit të tij, sërish pa paralajmërim.
Klankosova.tv ka kontaktuar zëvendësministrin në detyrë të Infrastukturës Zef Morina, për të marrë një sqarim tutje lidhur me këtë ngjarje, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.




