Manchester United tërhiqet nga transferimi i Edersonit

Manchester United ka hequr dorë nga transferimi i mesfushorit të Atalantës, Ederson, në një kthesë të papritur të merkatos para sezonit të ri.

Sipas gazetarit Fabrizio Romano, marrëveshja tashmë konsiderohet e dështuar, pasi klubi anglez e ka njoftuar Atalantën se ka ndryshuar planet dhe nuk do të vazhdojë me transferimin.

Romano shton se Atalanta është plotësisht e bindur se Ederson është 100 për qind i gatshëm fizikisht dhe do ta rikthejë brazilianin në skuadër për sezonin e ri.

Kolapsi i marrëveshjes vjen pas javësh spekulimesh që e lidhnin 27-vjeçarin me një kalim në “Old Trafford”. Më herët ishte raportuar se palët kishin bërë përparim si në marrëveshjen mes klubeve, ashtu edhe në kushtet personale me lojtarin.

Madje, sipas raportimeve, Ederson kishte kryer edhe kontrollet mjekësore, ndërsa United po vlerësonte gjendjen e tij fizike përpara vendimit përfundimtar.

Megjithatë, Manchester United ka ndryshuar drejtim dhe tashmë pritet të përqendrohet te objektiva të tjerë për mesfushën.

Latest news
Related news