Ndërhyrjet estetike po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, ndërsa disa persona janë të gatshëm të hyjnë edhe në borxhe për t’i realizuar ato.
Kështu u tha në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ku u trajtua ndikimi i standardeve të bukurisë në shoqëri.
Ekspertja e estetikës, Valmira Xani tha se dëshira për të arritur pamjen e dëshiruar i shtyn disa persona të marrin edhe kredi.
“Unë e di që ka njerëz që janë në gjendje, përveç kredive të tjera, të marrin edhe kredi vetëm për me arrit atë që e kanë pikësynim, sidomos për ndërhyrje estetike”, u shpreh ajo.
Sipas saj, problemi nuk qëndron vetëm te ndërhyrja, por te pritshmëritë që krijohen.
“Nëse një person nuk është i plotësuar nga brenda dhe i mungon vetëbesimi, nuk do të ndihet i kënaqur as pas ndërhyrjes së parë. Pastaj kalon te e dyta, e treta dhe krijohet një lloj varësie nga këto procedura”, tha ajo.



