Vetëm pak orë para hapjes së qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se janë administruar 180,144 zarfe me fletë votimi të dërguara nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Nga 245,935 zarfe të dërguara gjithsej për votuesit e regjistruar në diasporë, 227,097 janë marrë nga zgjedhësit, ndërsa 18,838 zarfe mbeten të padorëzuara.
Sipas KQZ-së, Italia kryeson me numrin më të madh të zarfeve të kthyera, me 71,180 vota, e ndjekur nga Greqia me 44,315. Në ndarjen sipas qarqeve, Tirana prin me 40,085 vota, Fieri ndjek me 24,142 dhe Durrësi me 18,973.
Të gjitha zarfet do të përpunohen në Pallatin e Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik në Tiranë, ku është ngritur qendra për administrimin e votës së diasporës. Çdo zarf që mbërrin pas orës 19:00 të datës 11 maj do të shpallet i pavlefshëm, ka paralajmëruar KQZ.



