Kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh sonte në Bundestag për sfidat e mëdha me të cilat përballet Gjermania në vitin 2025, duke theksuar se rendi botëror po ndryshon dhe vendi nuk mund të qëndrojë pasiv.
Në fjalimin e tij, Merz përmendi trazirat gjeopolitike, tensionet me SHBA-në dhe pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, si dhe ndikimin e luftërave tregtare mbi ekonominë gjermane.
“Kjo është një kohë e vështirë dhe një moment kthese. Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shikojmë ndërsa bota riorganizohet. Ne nuk jemi top loje i superfuqive,” tha Merz. Ai theksoi se Gjermania duhet të veprojë në mënyrë aktive për të mbrojtur interesat e saj dhe për të ndihmuar në krijimin e një paqeje të drejtë në Ukrainë.
Një nga pikat kryesore të fjalimit të tij ishte ideja që asetet ruse të ngrira në bankat evropiane të përdoren për të mbështetur Ukrainën. Sipas Merz, kjo do të dërgonte një mesazh të qartë Rusisë dhe do të ndihmonte në përfundimin e luftës sa më shpejt të jetë e mundur. Shumica e qeverive të BE-së mbështesin këtë qasje, duke vlerësuar përdorimin e afërsisht 210 miliardë eurove të bllokuara për ndihmë financiare, rindërtim të vendit dhe furnizime me armë moderne për ushtrinë ukrainase.
Megjithatë, disa shtete shprehin rezerva. Hungaria dhe Sllovakia janë kundër përdorimit të këtyre fondeve, ndërsa Italia dhe Belgjika shfaqin kujdes, duke argumentuar se Belgjika mund të bëhet objekt hakmarrjeje nga Rusia. Qeveria amerikane gjithashtu refuzon përdorimin e fondeve në formatin aktual.
Opozita gjermane, kryesisht partia AfD, është kundër idesë së Merz. Kryetari i partisë, Tino Chrupalla, deklaroi se Ukraina nuk mund ta fitojë luftën dhe se kjo nuk është “lufta jonë”.
Merz, megjithatë, mbetet i vendosur për të udhëhequr këtë iniciativë, duke kërkuar një shumicë në Bruksel për të mundësuar përdorimin e fondeve ruse. Suksesi i këtij propozimi do të jetë një test për tetë muajt e parë të tij si kancelar dhe për aftësinë e Gjermanisë për të luajtur një rol vendimtar në çështjet globale.



