Një mbrëmje që duhej të ishte e mbushur vetëm me emocione sportive dhe ethe titulli, është kthyer në një moment dhimbjeje personale për trajnerin e Barcelonës, Hansi Flick.
Vetëm pak orë para përballjes së madhe ndaj Real Madrid në “El Clasico”, tekniku gjerman ka marrë lajmin tragjik për ndarjen nga jeta të babait të tij, duke e vendosur ndeshjen më të rëndësishme të sezonit nën hijen e një humbjeje të madhe familjare.
Pavarësisht dhimbjes, raportimet bëjnë të ditur se Flick pritet të jetë sonte në bankinën e Barcës, në sfidën që mund t’i afrojë katalanasit edhe më shumë me titullin kampion në La Liga.
Klubi katalanas reagoi menjëherë me një deklaratë zyrtare, duke i shprehur mbështetje trajnerit të tyre në këtë periudhë të vështirë.
“FC Barcelona dhe e gjithë familja blaugrana dëshirojnë t’i shprehin ngushëllimet dhe mbështetjen Hansi Flick pas ndarjes nga jeta të babait të tij. Ne ndajmë dhimbjen me të dhe jemi pranë tij dhe familjes së tij në këtë moment shumë të vështirë”, thuhet në deklaratën e klubit, transmeton Klankosova.tv.
61 vjeçari ka qenë një nga figurat kryesore në ringritjen e Barcelonës, duke rikthyer optimizmin te tifozët pavarësisht vështirësive financiare që klubi vazhdon të përballet jashtë fushës.
Në sezonin e tij të parë në krye të Barcelonës, Flick arriti të fitojë titullin në La Liga dhe Copa del Rey, duke konfirmuar menjëherë ndikimin e tij te skuadra blaugrana.



