Punëtorët e shpëtimit punuan gjatë natës për t’u dalë në ndihmë njerëzve pas motit të lig e vërshimeve në qytetin jugor ukrainas, Odesa, dhe në distriktin përreth saj, ku e humbën jetën nëntë persona, përfshirë një fëmijë, tha të mërkurën shërbimi emergjent shtetëror.
Ekipet e shpëtimit i ndihmuan njerëzit që të evakuoheshin nga zonat e mbushura me ujë, veturat e bllokuara, të hiqnin ujë nga ndërtesat dhe të kërkonin një vajzë të zhdukur, e cila më pas u gjet në orët e hershme të mëngjesit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shërbimi emergjent publikoi fotografi të pasagjerëve duke u nxjerrë nga një autobus i bllokuar në ujin e vërshimeve dhe të veturave duke u nxjerrë nga uji.
“Për vetëm shtatë orë, reshje shiu me sasi të gati dy muajve ranë në Odesa” – tha në rrjetin “Telegram” kryetari i qytetit, Hennadiy Trukhanov. “Asnjë sistem i drenazhit për ujë të stuhive nuk mund t’i bëjë ballë një ngarkese të tillë” – shtoi ai.
Sipas shërbimit emergjent, gjithsej 362 njerëz janë shpëtuar dhe përpjekjet për shpëtim po vazhdojnë.



